Οι ειδήσεις στα Αλβανικά

Vjen riorganizimi i qeverisë

Konsultimet dhe dëgjimi i emrave të ndryshëm vazhdojnë në kampin qeveritar, pas njoftimit paraprak të riorganizimit të qeverisë nga zv/kryeministri Evangelos Venizelos, i cili, megjithatë, nuk ka përcaktuar datën e tij. Njoftimet përfundimtare për ndryshimet në skemën e qeverisë flasin për fillimin e javës së ardhshme e deri në mes të qershorit.

Siç shkruan gazeta Ethnos, ekuacioni i vështirë i reformimit është posti i ministrit të Financave, i Guvernatorit të Bankës së Greqisë, por dhe personi që do të dërgohet në Komisionin Evropian.

Siç duket, Janis Sturnaras merr rrugën për Bankën e Greqisë dhe ndryshim në ministrinë e Financave ka të ngjarë të sjellë edhe riorganizimi në ministritë e Punës dhe Zhvillimit. Sipas gazetës To Vima e së dielës, kryeministri dëshiron që ministri i ri i Financave të simbolizojë fundin e memorandumeve, ndërsa Evangelos Venizelos do dikë, që do të sugjerojë një ndryshim radikal për shoqërinë dhe nevojat e saj.

Ndryshon sistemi i sigurimeve sociale

Rrënjësisht ndryshon peizazhi në sistemin e sigurimeve sociale të Greqisë, sepse fillon integrimi administrativ dhe financiar i 60 fondeve të ndryshëm që japin pensione kryesore, suplementare dhe përfitime sociale.
Ka filluar tashmë studimi nga KEPE, i cili pritet të përfundojë brenda dy muajve të ardhshëm, me qëllim që modeli i ri i sigurimeve sociale të ligjërojë deri në muajin nëntor të këtij viti. Reforma përfshin mes të tjerash ndryshime në mënyrën e llogaritjes së pensioneve suplementare dhe zbatimin e sistemeve të reja të informacionit.

Skandal me pensionet suplementare

Ndërkohë, një skandal i ri në frontin e sigurimeve sociale është shkaktuar nga 1200 pensionet suplementare «majmun», me pulla dhe certifikatave të rreme, nga ish fondi i punonjësve të tregtisë, që kishte një kosto prej 200 milionë euro.
Hetimet e prokurorisë vazhdojnë, pas veprimeve të Fondit të Vetëm të Pensioneve Suplementare dhe është identifikuar përfshirja e të paktën katër ish-punonjësve të TEAFEK-ut dhe janë praktikuar dhe përndjekja e tyre.

FMN këmbëngul për të dhënë në Greqi një kredi të re

Në një kredi të tretë që do të jetë e kombinuar me një program të ri të masave shtrënguese "shtyn" Greqinë, Fondi Monetar Ndërkombëtare, i cili ka miratuar lëvrimin e këstit prej 3,41 miliard euro.
Siç thotë në njoftimin e tij, është "e nevojshme politika shtesë fiskale, që të sigurohet përmes masave të përhershme dhe me cilësi të lartë, qëndrueshmëria e borxhit".
Fondi, gjithashtu bën thirrje për përmirësimin e mekanizmit të mbledhjes së taksave, të luftohet evazioni fiskal, të ulen edhe më tej shpenzimet shtetërore, si dhe të përshpejtohen reformat në administratën publike.

SYRIZA: Qeveria dhe Trojka përgatisin memorandume të tjera

"Qeveria dhe Trojka janë plotësisht dakord me vazhdimin e politikës së kursimit dhe varfërimin e punëtorëve. I ashtuquajturi "fundi i memorandumeve" ishin përralla gjatë fushatës zgjedhore, nga një kryeministër i dorëzuar në interesin e kreditorëve", komenton Zyra për Shtyp e SYRIZA, lidhur me njoftimin e FMN-së për dhënien e këstit.

KKE: Qeveria vazhdon masat antipopullore

Raporti i vlerësimit të FMN-së për Greqinë konfirmon se masat brutale antipopullore nga njëra anë dhe privilegjet për kapitalin nga ana tjetër do të vazhdojnë, pasi janë parakusht i zhvillimit kapitalist, thotë KKE në deklaratën e saj.

Evazion i madh fiskal për jashtë Greqisë

Një evazion fiskal prej 40 milionë euro vetëm nga 80 persona që dërgonin remitanca jashtë vendit është identifikuar pas kontrolleve të prokurorëve financiarë. Hulumtimi është kryer nga prokurorët Panagiotis Athanasiu dhe Galinios Bris me ndihmën e zëvendës Prokurorit Janni Dragatsi.
Tani, të gjithë do të duhet të paguajnë ato që nuk kanë deklaruar nga viti 2002 e në vazhdim, ndërkohë që në fondet publike pritet të hyjnë të paktën 65 milion euro me bonuset.

PASOK-u bën hapje për në parti të tjera si Potami dhe e Majta Demokratike

Kryetari i PASOK-ut, Evangjelos Venizelos përparon në hapjen drejt partive të tjera si Potami, në kuadrin e debatit për për ngritjen e polit më të gjerë të qendrës së majtë, duke përsëritur edhe ftesën për të Majtën Demokratike.

Baltakos i papenduar

I papenduar në një intervistë të tij Panagiotis Baltakos në rolin e analistit të zgjedhjeve, në gazetën "To Vima" e së dielës, i bën thirrje Demokracisë së Re që të bëj një kthesë në drejtim të ekstremistëve të djathtë, për të ndërprerë përparimin e së majtës në pushtet.
Ndër të tjera, ish-Sekretari i Përgjithshëm i Qeverisë karakterizoi një moment historik fitoren e SYRIZA në zgjedhjet evropiane, duke shënuar se për herë të parë e Majta dhe Qendra e Majtë mund të formojnë një qeveri të fuqishme me 174 vende.
Krahas z.Baltakos bëri supozimin se "nuk do të kenë sukses, ashtu siç nuk ka pasur sukses edhe EAM në vitin 1945", duke shprehur mendimin se do të kemi një "Marrëveshje të re të Varkizas".

Shoqata për të Drejtat e Grave: Ministria e Financave refuzon të pajtohet me vendimet e Gjykatës së Shkallës së Parë të Athinës

Shoqata për të Drejtat e Grave ankohet se Ministria e Financave, si punëdhënës, refuzon të pajtohet me vendimet e përkohëshme të detyrueshme të Gjykatës së Parë të Athinës, që njohin pavlefshmërinë e shkurtimit nga puna e pastrueseve. Kushtetuta kërkon qartë nga sektori publik që të zbatojë vendimet gjyqësore. Duke refuzuar për të ekzekutuar vendimet e Gjykatës së shkallës së parë, shkel një seri të të drejtave themelore të këtyre grave, të cilat janë të sanksionuara në Kushtetutën tonë, Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe konventat e tjera ndërkombëtare dhe nga ligjet e Bashkimit Evropian. Është e pabesueshme dhe e paparë, që shteti, i cili kërkon nga qytetarët të respektojnë gjyqësorin dhe të zbatojnë vendimet gjyqësore, të mos pranojë vendimet e Gjykatës dhe të shkel të drejtat themelore, duke injoruar çdo kuptim të shtetit të së drejtës dhe duke ekspozuar vendin tonë ndërkombëtarisht.

Rojet e shkollave dhe pastrueset në një përqendrim të përbashkët

Rojet e shkollave me pastrueset bëjnë thirrje për një mbledhje të dielën padite në ministrinë e Financave.

Policia greke ka shkatërruar një rrjet të trafikut të emigrantëve të paligjshëm

Policia Greke ka zbuluar një rrjet të trafikimit të emigrantëve nga Gjeorgjia, të cilët kishin hyrë në vend ilegalisht. Gjithsej, u arrestuan 22 persona në Atikë, Selanik dhe Evro dhe është zbuluar përfshirja e katër oficerëve të policisë, që shërbejnë në Evro.

Përfundojnë aktivitetet e Solidaritetit të kampingut të vetë-menaxhuar në Vula

Përfundojnë të dielën aktivitetet tre ditore të Solidaritetit, Kreativitetit dhe Qëndrueshmërisë në Kampingun e vetë-menaxhuar në Vula. Këto aktivitete u organizuan nga Festivali Alternativ i Solidaritetit dhe i Bashkëpunimit të Ekonomisë me pjesmarrjen e dhjetra grupeve.

POSPERT: Lëvizje panevropiane para ambasadave greke në bashkëpunim me UNI/MEI për 11 qershorin

Lëvizje panevropiane para ambasadave greke në bashkëpunim me UNI / MEI dhe organizata të tjera, planifikohet për në datën 11 qershor, kur do të mbushet një vit nga mbyllja fashiste e Radio-Televizionit Publik e Greqisë (ERT).
Të hënën, 2 qershor në orën 18:00 pasdite, POSPERT dhe Shoqata e Punonjësve të Administratës (EKPA) kanë bërë thirrje për një takim të të gjitha shoqatave dhe kolektivave të punonjësve dhe të papunëve në Qendrën e Punës së Athinës, me temë organizimin e tubimit më 10 qershor, ditën që do të gjykohet rasti i pastrueseve të ministrisë së Financave, dhe të veprimeve për datën 11 qershor, me rastin e përvjetorit të mbylljes së zezë të ERT-it.

Incidente në sheshin Taksim

Policia turke përdori gazin lotsjellës dhe ujin me presion për të shpërndarë demonstruesit në Kostandinupoli dhe Ankara, të cilët kanë dalë në rrugë pavarësisht urdhërit qeveritar që ndalon manifestimet, në njëvjetorin e nisjes së protestave të përgjakshme në sheshin Taksim.

Rreth 25 mijë policë rrethuan dhe bllokuan sheshin Taksim, epiqendrën e protestave të vitit të kaluar. Kryeministri turk, Recep Tayyip Erdogan më herët kishte apeluar të rinjtë të mos bashkohen në protesta.
Shprehja e zemërimit kundër planeve të rizhvillimit të parkut Gezi në Kostandinupoli u shndërrua në marshime masive kundër kryeministrit Erdogan vitin e kaluar dhe u ndoq nga një ndërhyrje e dhunshme e policisë. Gjatë trazirave u vranë disa persona, ndërsa mijëra të tjerë u plagosën.
Policë me uniformë, autobote uji dhe blinda ishin vendosur në shesh për të bllokuar hyrjen e protestuesve. Rreth 100 protestues u arrestuan.
Organizatorët e protestave të vjetshme të parkut Gezi kanë bërë thirrje për një protestë të re, por kryeministri Erdogan apeloi popullsinë, sidomos të rinjtë të mos bashkohen me marshimin. "Një vit më vonë, disa njerëz, përfshirë edhe të ashtuquajturit artistë, po bëjnë thirrje për demonstrata, por ju, të rinjtë e Turqisë, nuk do t'i përgjigjeni kësaj thirrjeje", theksoi ai.
Erdogan e përshkroi lëvizjen si një organizim terrorist që manipuloi moralisht dhe financiarisht të rinjtë e dobët, të sulmojnë unitetin dhe të kërcënojnë ekonominë e vendit.

Në rrugë forcat e shtypjes së Tajlandës për të parandaluar incidentet

Ushtrinë dhe policinë në rrugët e Bangkokut kanë vendosur forcat e armatosura të Tajlandës, për të parandaluar realizimin e protestës kundër grushtit të shtetit, që u zhvillua më 22 maj.

Vazhdohen luftimet në Ukrainën lindore

Në Ukrainë vazhdohen betejat në mes të forcave të sigurisë së Ukrainës dhe separatistëve pro-rusë në rajonet lindore të vendit.

6,3 miliardë euro ka në dispozicion Spanja për të mbështetur tregun e punës

Në Spanjë, një program që arrin në shumën 6,3 miliard euro për të mbështetur tregun e punës pritet të miratojë javën e ardhshme qeveria e vendit, siç ka lajmëruar kryeministri Mariano Rajoy.

David Cameron: «Jo» për Jean-Claude Juncker

Kryeministri britanik ka kërcënuar me një referendum për dalje të vendit nga Bashkimi Evropian, nëse Jean-Claude Juncker emërohet president i Komisionit Evropian, shkruan revista gjermane Der Spiegel.

MOTI

Shërbimi Kombëtar Meteorologjik parashikon mot të paqëndrueshëm, me shira lokale dhe stuhi, kryesisht në rajonet perëndimore, qendrore, veriore dhe në Egjeun verilindor. Erërat do të fryjnë në drejtimin perëndimor- veriperëndimor deri në 7 ballë në Egjeun jugor.
Nga 16ºC deri në 26ºC temperatura në Athinë dhe nga 16ºC deri në 24ºC në Selanik.